Nuk dihet nëse kjo skuadër mund ta fitojë titullin, sidomos duke pasur parasysh edhe dëmtimet. Boston Sëlltiks arriti sërish në finalen e Konferencës Lindore, këtë herë me më shumë ambicie se kurrë. Suksesi i vështirë, 4-3, ndaj kampiones në fuqi Torontos, u arrit pas një ndeshjej të shtatë të ashpër, përfunduar me shifrat 93-87. Kjo është finalja e tretë e Lindjes në 4 vjet, dhe ndoshta është hera e duhur për klubin më të lavdishëm të NBA-së që të synojë finalen e madhe, si në kohën e Bill Rasëllit apo të Lerri Bërdit. Finalja e Lindjes do të jetë ndaj Majemit, një kundërshtari shumë të fortë që eleminoi ekipin më të mirë të sezonit të rregullt, Miluokin. “Nuk do të jetë e lehtë, – thotë trajneri Bred Stivens, – ne kemi nja 3 lojtarë 30-vjeçarë, ne jemi në themel një ekip kolegji. Është gjë shumë e bukur, ndërsa mendoj se ata janë vërtet të rinj, por jo pa eksperiencë”. Braun është 23 vjeç, Eduards 22, Foll është 24, Tatëm vetëm 22, Smarti 26, e dy Uilliamsët përkatësisht 21 e 22 vjeç.
Sfidanti.al