Strasburgu bën histori

Një ngjarje e pazakontë, por historike, ndodhi të dielën në Ligue 1. Strasburgu, në ndeshjen e parë të sezonit ndaj Metz-it, zbriti në fushë vetëm me futbollistë të lindur në shekullin XXI. Për herë të parë në një nga pesë kampionatet më të mëdha të Europës, një skuadër nuk kishte asnjë lojtar të lindur në vitet ’90.

Në një mënyrë simbolike, Strasburgu mbylli perden e shekullit XX, të periudhës së Pelé-së, Maradonës, Kupës së Kampionëve dhe revolucionit televiziv. Në vend të tyre, në skenë dolën të rinjtë e “Generatës Z”, fëmijët që u rritën me tablet në dorë dhe që tani janë protagonistët e futbollit modern.

Fitorja e Strasburgut u vulos nga Joaquin Panichelli, sulmues argjentinas 22-vjeçar, më i “moshuari” i skuadrës, i cili shënoi golin e vetëm të takimit. Pavarësisht se është vetëm 22 vjeç, Panichelli ishte “veterani” i kësaj skuadre që kishte një moshë mesatare prej vetëm 20,5 vitesh.

Ky eksperiment nuk është i rastësishëm. Strasburgu ka në përbërje shumë talente të reja të ardhura në huazim nga Chelsea, me të cilin ndan të njëjtin pronar. Klubi francez duket se po ndërton një projekt të bazuar mbi të ardhmen, por në të njëjtën kohë i rikujton botës së futbollit origjinat e këtij sporti. Në fund të shekullit XIX, edhe në Itali, përballjet e para futbollistike lindën mes nxënësve të gjimnazeve dhe liceve. Edhe Juventusi, klubi më i titulluar italian, lindi nga një grup studentësh të shkollës “D’Azeglio” në Torino.

Një shembull i ngjashëm historik është ai i Ambrosiana-s së Meazzas, që në sezonin 1929-30 u bë skuadra e parë kampione në Itali me lojtarë të lindur vetëm në shekullin XX. Sot, Strasburgu bëri të njëjtën gjë për shekullin XXI, duke lënë një mesazh të qartë: “Futbolli është ende një lojë për të rinjtë. Jepuni hapësirë”.

Ky moment mbetet një gur kilometrik jo vetëm për Ligue 1, por edhe për futbollin evropian, duke treguar se e ardhmja u përket brezave të rinj.

sfidanti.al