Milan po pret me ankth rezultatet e ekzaminimeve mjekësore për Rafael Leao-n, i cili u dëmtua në ndeshjen e Kupës së Italisë kundër Barit, të dielën. Sulmuesi portugez ndjeu shqetësime në pulpën e këmbës dhe sot do të përcaktohet nëse do të jetë i gatshëm për sfidën hapëse të kampionatit kundër Cremonese-s. Megjithëse ndjesia e parë është se dëmtimi nuk është i rëndë, stafi mjekësor i kuqezinjve nuk dëshiron të rrezikojë. Për këtë arsye, edhe një problem i lehtë do të mjaftonte që Leao të mos aktivizohet në ndeshjen e së shtunës, me qëllim që të shmanget një përkeqësim i situatës.
Gjendja e Leaos ka ndikuar edhe në lëvizjet e merkatos. Derisa të ketë qartësi mbi kohën e rikuperimit të ‘yllit’ portugez, Milani nuk do t’i japë dritën jeshile transferimit të Noah Okafor, i cili ndodhet shumë pranë kalimit te Leeds për një shumë prej rreth 15 milionë eurosh. Në Milano shpresojnë që Leao të rikthehet shpejt, pasi prania e tij është vendimtare për skuadrën në prag të një sezoni të gjatë dhe të ngarkuar.
sfidanti.al