Ndoshta publikut shqiptar mund të mos i pëlqejë shumë për shkak të qendrimit të tij për Kosovën, por gjithsesi Novak Gjokoviç është një nga sportistët më të mëdhenj të botës sot për sot, dhe përjashtimi i tij nga Grand Slemi US Open është vërtet një fatkeqësi për tenisin. Serbi u skualifikua pasi goditi me top një gjyqtare të vijës, diçka që u pohua se u bë pa qëllim, por që e rrezoi gjyqtaren që duket se pati probleme me frymëmarrjen. Gjyqtari kryesor, pasi theksoi se u bazua në rregullore, e përjashtoi Gjokoviçin nga turneu.
Menjëherë pas kësaj, ish-tenistja Barbara Shet (Schett), sot komentatore në Eurosport, e vuri në dyshim drejtësinë e vendimit të gjyqtarit. “Para 10 ditëve, slloveni Aljazh Bedene goditi një kameraman, madje shumë më fort, por nuk u përjashtua, veç u qortua, – tha ajo, cituar nga e përditshmja kroate “Jutarnji List”, – pra ku është kufiri”. Edhe ish-numri 1 i botës për meshkuj, suedezi Mats Vilander, u shpreh se “shikojmë se Novaku nuk pati qëllim, topi nuk ishte shumë i fortë, është situatë shumë e dyshimtë dhe nuk e di nëse vendimi është i drejtë apo jo”.
Duhet theksuar se Gjokoviçi ka qenë nën presion shumë të madh në nga mediat perëndimore për shkak të deklaratave të tij për vaksinën e koronavirusit (u shpreh kundër), ndërsa besohet se një pjesë e publikut perëndimor pëlqen më shumë “perëndimorët” Federer e Nadal sesa “ballkanasin” Gjokoviç. Kjo dallohet qartë në sjelljen e tifozëve në Arena ndaj tre tenistëve. Serbi u kritikua shumë nga mediat në Britani të Madhe dhe në SHBA për shkak se mbajti turne në Kroaci gjatë kohës së pandemisë, duke u sëmurur për vete me koronavirus, si dhe duke u sëmurur edhe disa të tjerë. Trajneri i tij, legjenda kroate, Goran Ivanisheviç, e mbrojti Nolen duke thënë se “ai ka bërë shumë për Kroacinë, dhe turneu ishte për të rritur imazhin e vendit tonë”.