Barcelona, takim Jorge Messi-Bartomeu, City përgatit mirëpritjen

Manovrat për transferimin më të bujshëm të viteve të fundit vijojnë në aksin Rosario-barcelonë-Manchester. Sipas të përditshmes ‘El Mundo Deportivo’, Jorge Messi, babai i Lionel Messit, aktualisht ndodhet në Argjentinë dhe ka në program një udhëtim për në Katalonjë dhe këtë të mërkurë pritet të takohet me presidentin e Barcelonës, Josep Maria Bartomeu.

Objektivi është arritja e një zgjidhjeje miqësore  të cështjes së largimit të sulmuesit argjentinas dhe të evitojë një luftë ligjore. Ndërkaq Manchester City është në pritje  që Lionel Messi të lirohet nga Barcelona me parametra zero, ndërkohë që po vijon përgatitjet për organizimin e një pritjeje dhe prezantimi spektakolar, pa harruar këtu të përmendim kontratën e përgatitur prej 500 milionë Eurosh në 5 vjet

Mësohet se Manchester City i garanton Messit një pagë 50 milionë /euro neto në sezon për 5 vjet, shifër së cilës i shtohen edhe 250 milionë Euro të tjera si bonus. E përditshmja ‘Sport’ shpjegon se kontrata parashikon që Lionel Messi të luajë 3 sezone te Manchester City dhe 2 të tjerë te New York City FC në MLS ku Messi pritet të mbyllë edhe karrierën e tij në moshën 38 vjecare.

Por gjithcka do të varet nga akordi mes fituesit të 6 Topave të Artë dhe skuadrës ku ai u rrit. Njerëzit rreth Messit kërkojnë zgjidhjen më paqësore të mundshme, por palët nuk lëvizin nga qëndrimet e tyre që janë krejtësisht të kundërta. Messi është I bindur se mund të largohet falas duke shfrytëzuar klauzolën e kontratës së tij, ndërsa Barcelona ashtu sikurse edhe La Liga i qëndrojnë idesë së tyre se për të lejuar argjentinasin të largohet duhet paguar klauzola e kontratës së tij prej 700 milionë Euro.

Presidenti Bartomeu është zemëruar me mënyrën sesi e shprehu argjentinasi vullnetin për t’u larguar nëpërmjet një burofaxi pa asnjë llonj paralajmërimi dhe pasi Messi nuk u paraqit në testet mjekësore, raportet mes klubit dhe simbolit të tij janë thyer plotësisht dhe duket se nuk mund të ngjitën më. Tani do t’i takojë Jorge Messit që të ndërhyjë dhe të evitojë një përballje mes lojtarit dhe Barcelonës në gjyq që do të ishte e dëmshme për të gjithë edhe pse duket se është shumë e vështirë të arrihet një gjë e tillë.

Sfidanti.al