Tirana bën mrekullinë në Gjeorgji, tani për fitore me Zvezdën!

Nuk kishte përballë atë skuadër të madhe të dikurshme që bënte Europën të dridhej përpara saj. Dinamo e Tbilisit është tepër larg vitit 1981 kur fitoi Kupën e Kupave të Europës, por gjithsesi ajo që bëri Tirana në mes të Gjeorgjisë nuk mund të quhet ndryshe përveçse e mrekullueshme. Një ekip, vërtet kampion i Shqipërisë, por i kthyer tek titulli pas 11 vjetësh, dhe pa përvojë europiane për një kohë shumë të gjatë, ndaj edhe nuk ishte e lehtë të arrinte fitoren.

Ia doli me golat e Torasës në fund të pjesës së parë, dhe të Çelhakës në minutat përmbyllëse të ndeshjes, me një fitore bindëse dhe autoritare 2-0. Ekipi i trajnerit Egbo tregoi se suksesi në Superligë nuk kishte qenë rastësi, ndërsa nuk e diskutoi kualifikimin edhe pse luajti jashtë fushe. Tashmë, do të ketë një detyrë shumë më të vështirë, atë ndaj kampiones së Serbisë, Crvena Zvezda, veçse me ndeshjen e vetme që do të luhet në “Arenën Air Albania”. Tirana iu kthye paraqitjeve që kishte bërë pikërisht ndaj Dinamos së Tbilisit në 2003 (0-3, 3-0, kualifikim me penallti), Nacionalit të Bukureshtit, Ferencvaroshit, Gomelit (0-1, 2-0), NK Goricës së Sllovenisë (3-0, 0-2), Varteksit (2-0, 1-1) apo Zalegershegit (0-0, 1-0).

Tirana: Lika, Toshevski, Vangjeli, Najdovski, Ismailgeci, Batha, Çelhaka, Kale, Torasa, Kobina, Muçi. Tr. Egbo

Sfidanti.al