Bajerni nuk e ndal “turravrapin”, finale magjike në Champions me PSG-në!

Dy gjigandë do të jenë “kokë më kokë” për trofeun e madh. Kampionia e Gjermanisë nuk mbeti aspak prapa kampiones së Francës, dhe do të jetë përballë saj në finalen e Championsit në 23 gusht në Lisbonë. Bajerni triumfoi sërish, edhe një herë me lehtësi, 3-0 ndaj Lionit të Francës, e do të luftojë ndaj Paris SG, më të fortit ekip francez për “kupën me veshë”.

Serg Gnabri shënoi dy gola, në minutat 18 e 33, ndërsa Robert Levandovski realizoi për 3-0 në 88’. Po kaq, 3-0, kishte fituar PSG ndaj gjermanëve të Lajpcigut. Triumf i madh ky për trajnerin Hansi Flik që ka fituar 6 ndeshje radhazi, dhe për Bajernin që ka fituar të 10 ndeshjet e këtij sezoni, duke shënuar 42 gola, me mesataren 4.2 gola për ndeshje. Robert Levandovski vazhdon ta ndjerë rekordin e Kristiano Ronaldos, pasi ka 15 rrjeta deri tani ndaj 17 të portugezit, veçse me ndryshimin se e ka bërë në vetëm 10 sfida, ndërsa CR7-ta ia ka dalë në 13, pra polaku ka mesatare më të mirë. Gjithsesi, nëse shënon dy herë ndaj PSG-së në finale, e mbërrin Kristianon.

Sfidanti.al