“Burrëria” e Realit të Madridit, më në fund u formua ekipi i femrave!

Edhe në futbollin spanjoll duket se ka ndikuar ana ideologjike e krahinave të ndryshme të vendit, apo e origjinës së klubeve të vendit. Nëse Barcelona themeloi ekipin e femrave që në 1988, e Bilbao bashkë me Atletikon e Madridit e bënë në vitet 2001 a 2002, Realit të Madridit iu desh të mendohej gjatë! Më në fund, gazeta “Marka” dha lajmin e madh, njëlloj si burrat e Shqipërisë së para 100 viteve, që dilnin e shtinin me pushkë duke thirrur “djalë” për beben e lindur mashkull.

Thirrja tek Reali sot është “vajzë”, pasi u desh viti 2020 që klubi më i madh i futbollit në Spanjë dhe në gjithë botën të bindej se kishte nevojë edhe për një … ekip femrash. Si ka mundësi që një markë kaq e madhe e këtij sporti të vononte kaq shumë për të ecur me një hap me botën “e qytetëruar”? Reali është kritikuar shumë që nuk e kishte një ekip të tillë, siç thekson CNN. Me gjasë, mentaliteti i klubit është shumë “maço”, pak si shumë i djathtë për të pranuar që “mbretërorët” mund të kenë “mbretërore” me të drejta të barabarta, ndryshe nga Barcelona, pra nga krahina e Katalonjës që, për arsye kombëtare, ka qenë e lidhur më shumë me vlerat socialiste e socialdemokrate.

Ndryshimi i mentalitetit për femrat, mes elitës madrilene (së cilës i ka përkitur Reali), dhe katalanasve është dukur qartë në të drejtën për të votuar. Në Spanjën e Republikës, gratë fituan të drejtën për të votuar në 1933, ndërsa në Spanjën e Frankos, ato formalisht e ruajtën këtë të drejtë, por lejoheshin të votonin vetëm nëse ishin “kryefamiljare”. Kjo do të thoshte se vetëm gratë vejusha mund të votonin, ndërsa pjesa tjetër ishte nën hijen e kryefamiljarëve burra.

Për hir të së vërtetës, duhet thënë se një ekip femrash me emrin Real u formua në 2014, por vetëm vjet, bordi drejtues i klubit pranoi të blinte aksionet, dhe tani ekipi u formua.

Sfidanti.al