Janë dy veteranë të mëdhenj, sidomos i pari, dhe kanë së bashku një përvojë të pamasë në futbollin italian. Juventusi vendosi të mbante edhe për 1 vit dy legjenda si Xhanluixhi Bufon dhe Xhorxho Kielini, ndërsa klubi torinez vazhdon me politikën e tij të mosbraktisjes së “flamujve”. Ata rinovuan kontratën deri në 2021, lajm që u dha në të njëjtën ditë me njoftimin se Andrea Pirlo do të kthehet tek Juvja, si trajner i skuadrës U23.
Bufon ka luajtur 669 ndeshje për Juven, ndërsa Kielini 509 takime për 15 sezone. Të dy së bashku kanë 1178 paraqitje, që do të thotë një pasuri e madhe për “Zonjën e Vjetër”. Bufon ka gjithsej 1019 ndeshje si profesionist, pasi ka edhe 220 me Parmën, 25 me Paris SG dhe 176 me Italinë. Ai shpreson të fitojë titullin e 10-të si bardhezi, ndërsa dy tituj, në 2005 e 2006, ia hoqi “kalçopoli”.
Sfidanti.al