O sa mirë të jesh shqiptar! Ky slogan që mban gjallë në mënyrë artificiale krenarinë tonë të rënuar në futboll, s’ vleka vetëm për tifozët dhe për futbollistët, por edhe për shefat, ata që diktojnë në skenë. Një vit më parë, kur Partizani u shpall kampion, sado lavde që u grumbulluan tek trajneri Skënder Gega, as nuk mund të krahasohen me meritat dhe dhelkat që fitoi drejtori Olsi Rama. Madje, po të kthesh kokën pas, mu në ditët e triumfit të kuq, mbetet i paharruar fakti se me trofeun e kampionatit më shumë pozonte drejtori Olsi , duke lënë të kuptohet se në garat tona, sfida e vërtetë ndizet midis shefave, kurse trajnerët janë alibia..
Tani, le të kthehemi në ditët e sotme, në kampionatin ku Partizani po “nxiton” ta dorëzojë titullin , ku të kuqtë kanë marrë rokapujën pa pikën e qederit, duke kalcifikuar humbjet në serialin e 5 ndeshjeve me radhë. Dhe, tamam sikur të kemi bërë një pakt kolektiv, të gjithë qëllojnë dhe blasfemojnë vetëm trajnerin Sormani. Edhe një i vetëm nuk del për të bërë pyetjen: po drejtori Olsi Rama, kampioni i kampionëve, pse nuk përmendet fare këtë sezon ? Pse nuk e besojmë trajnerin Sormani kur del e thotë publikisht : “ Këtë ekip dhe këta lojtarë kam gjetur ndaj nuk kam çfarë të bëj”. Pale sikur të kishim pak kujtesë, sa për lezet, që të bekonim një të vërtetë : e paska ditur të keqen që po vinte presidenti Gaz Demi, kur në ditët e Pandemisë, ishte i vetmi president që tha troç se kampionati duhet ndalur. …
Sfidanti.al