UEFA do të komunikojë emrin e qytetit që do të presë fazën përfundimtare të Ligës së Kampione vetëm pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të 17 qershorit, por prej ditësh qarkullojnë zëra që flasin për Lisbonën në avantazh të dukshëm kundrejt Madridit dhe Moskës, teksa Stambolli duket se ka hequr dorë.
Lisbona e kaloi kandidaturën e Madridit pasi nuk ka më skuadra portugeze në Champions League, ka dy stadium pranë njëri tjetrit Da Luz dhe Jose Alvalade e sidomos Portugali e ka më në kontroll situatën nga coronavirusi në krahasim me vendet e tjera evropiane.
Edhe pse mungon zyrtarizimi po shkohet drejt një versioni më të shkurtër të Ligës së Kampioneve me të gjitha ndeshjet që do të jenë unike dhe që do të luhen me dyer të mbyllura që nga cerekfinale, pasi të jenë zhvilluar sfidat e kthimit që kanë mbetur nga faza e 1/8 të finaleve; Manchester City-Real Madrid,Juventus-Lion, Barcelona-Napoli dhe Bayern-Chelsea. Këto ndeshje parashikohen të luhen në fundjavën 8-9 gusht me orare të ndryshme. Tetë skuadrat e kualifikuara do të spostohen më pas në Lisbonë për cerekfinalet që do të nisin në 12 gusht, ndërsa në 23 gusht do të luhet finalja e madhe në stadiumin Da Luz
Përsa I përket formatit të Europa League, këtu ka më shumë dyshime, por po punohet për një plan emergjence për fazën finale që parashikon të njëjtin format si Liga e Kampioneve me shumë mundësi Gjermaninë si vendin pritës. Finalja e Europa League ishte parashikuar të zhvillohej në Gdansk të Polonisë, por pas pezullimit, Federata Gjermane e Futbolli kërkoi organizimin e finaleve në 4 qytete të të njëjtit rajon, Këln, Dusseldorf, Duigsburg dhe Gelesenkirschen.
Sfidanti.al