Me “gjak” dhe me VAR, Bajerni arrin përvuajtshëm në finalen e Kupës!

Ajntrahti i Frankfurtit u tregua një rival shumë më i fortë sesa ai që u mund 2-5 në po këtë stadium (Alianc Arena) pak ditë më parë. Ishte gjysmëfinalja e Kupës dhe miqtë ia sollën shumë ngushtë punën Bajernit, duke u dorëzuar vetëm pas shifrave 1-2. Në një moment, në pjesën e parë, një lojtar i Frankfurtit goditi me taka në qafë Xhoshua Kimihun, duke e çarë, ndërsa futbollisti i Gjermanisë u fotografua “i larë” në gjak. Ivan Perishiç shënoi në 14’, pas një tjetër asisti të Tomas Mylerit, por Da Kosta barazoi në 69’. Vetëm 5 minuta më pas, gjithçka u vendos nga i përhershmi Robert Levandovski që mori topin e dhënë nga Kimih. U desh konfirmimi i VAR-it, pra përdorimi i teknologjisë, që rrjeta e dytë bavareze të quhej e vlefshme.

Frankfurti iu përgjigj Bajernit me aq sa mundi dhe nuk u përgjigj keq, ndonëse suksesi bavarez ishte i merituar. Miqtë goditën 10 herë drejt portës, ndaj 13 të vendasve, pasuan gati 430 topa ndaj afër 600 të ekipit të trajnerit Flik, mbajtën topin 42 për qind dhe patën 3 korne ndaj 5 të Bajernit. Finalja do të jetë në 4 korrik në Berlin, me Bajernit dhe Leverkusenit.

Sfidanti.al