Futbolli shqiptar është tronditur thellë, ndoshta më shumë se herë të tjera. Pasi u pikëlluam për humbjen e legjendave të dikurshme, hidhërimi ishte kulmor pas lajmit të shuarjes së ish-lojtarit të Akademisë së Skënderbeut, Dorian Tahirllari. Adoleshenti u nda prej nesh në moshën tepër të re, 18-vjeçare, duke lënë në dëshpërim të patregueshëm familjen, të afërmit, shokët e miqtë, si dhe të gjithë ata që janë të lidhur me futbollin e me sportin.
Doriani vuante prej 1 viti nga një sëmundje e rëndë, dhe nuk mundi ta fitonte betejën me të. Bashkë me të riun e paharruar nga Korça u shuan edhe ëndrrat e jetës, dhe të karrierës si futbollist. Siç njoftojnë ata që kanë qenë pranë, Doriani shkruajti edhe një poezi prekëse, duke shprehur gjithçka që po provonte. Një poezi që mund të krijohet vetëm nën shtysën e një vuajtjeje të skajshme.
Klubi i Skënderbeut shprehu ngushëllimet e tij, në faqen zyrtare në rrjetet sociale. “Nuk ia dole të kthehesh në fushë, por do të mbetesh gjithmonë në zemrat tona! Prehu në paqe Dorian! Një ngushëllim i tillë erdhi edhe nga ekipi i vajzave të Skënderbeut, gjithashtu në faqen zyrtare në FB. Nuk mungoi ngushëllimi i klubit rival të Kukësit: Me hidhërim mësuam për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-futbollistit të Skënderbeut, Dorian Tahirllari. Kukësi i shpreh ngushëllime familjes dhe të afërmeve! Prehu në paqe dhe i paharruar kujtimi yt! – shkruhej në postim. Respektimin e kujtimit të Dorianit e bëri edhe Federata Shqiptare e Futbollit, dhe po ashtu presidenti i saj, Duka.
Sfidanti.al