Gjermania në hall për klubet dhe Federatën: Futbolli duhet të ndryshojë!

Nga DFB-ja kanë vënë kujën dhe kanë të drejtë, por gjithsesi nuk po qajnë vetëm për problemet e tyre. Mbajtësi i thesarit të Federatës Gjermane të Futbollit, Stefan Osnabrug, deklaroi se organizata e tij do të humbasë 77 milionë euro nëse nuk do të ketë ndeshje ndërkombëtare, por kjo mund të kufizohet nëse do të rinisin përballjet në gjysmën e dytë të vitit. Gjithsesi, shqetësim i madh ekziston për klubet, dhe presidenti i Federatës, Fric Keler, theksoi se do të duhet ndryshim i madh në politikat e këtij sporti.

“Duhet të mësojmë nga gabimet tona, – u shpreh ai, – kriza është një mundësi për të ristrukturuar futbollin. Duhet ta kthejmë futbollin profesionist tek popujt, tek bota e tyre e përditshme. Pra, ne duhet të përmirësojmë kontrollin financiar dhe të ketë një “kapuç” për rrogat”. Disa klube gjermanë patën probleme, ndonëse në Gjermani politika e rrogave është shumë më e kujdesshme sesa në vendet e tjera të Europës, me jo më shumë se 55 për qind të të ardhurave vjetore.

Sfidanti.al