Arturi e Bejli, kur fuqia e lojtarëve detyron klubet të dorëzohen!

Mesfushori brazilian i Barcelonës nuk ka dëshirë të përdoret si monedhë shkëmbimi për Miralem Pjaniçin e Juventusit, dhe klubi duhet ta dëgjojë. Artur Melo nuk duket i predispozuar që të ikë, ai ka kontratë në “Kamp Nou”, dhe ka bllokuar veprimet e katalanasve. Një rast i ngjashëm me atë të Garet Bejlit, që zgjodhi të ishte një rebel që qendron në “Santiago Bernabeu”, jo dikush që ikën “me bisht ndër shalë”.

Trajneri Zidan e tha “shqip” në verë se “sa më shpejt të ikë Bejli, aq më mirë për të gjithë”, por uellsiani është edhe sot e kësaj dite, shëndoshë e mirë në skuadrën e Realit. Që nga koha e ligjit Bosman, në fillim të viteve 90-të, statusi i lojtarit ka ndryshuar, edhe pse mund të ndryshojë edhe më tej. Është si statusi i punonjësit, i cili është shumë e vështirë të largohet nga puna në vende si Franca apo Gjermania. Për këtë arsye, drejtuesit katalanas apo madrilenë duhet të mendohen mirë kur marrin lojtarë, sepse ata duhet të jenë të duhurit, ndryshe “i piu e zeza”.

Sfidanti.al