Dortmund-Bajern, bastet flasin për kampionët, por Borusia mendon titullin!

Duket sikur gjithçka që kanë bërë deri tani ka qenë një përgatitje për duelin e madh. Dortmundi e Bajerni e kanë rinisur me revan Bundesligën dhe ja ku vjen dita kur do të jenë përballë. Sonte në orën 18:30, dy rivalët për titull ndeshen në stadiumin “Signal Iduna Park”, në një ndeshje që pritet me interesim të madh në Gjermani e në të gjithë botën, e që premton spektakël e emocione të mëdha.

Revista “Kiker” i bën këtë reklamë: “154 gola dhe seri suksesesh! Për herë të 102-të luhet derbi Perëndim-Jug i Bundesligës, klasikja Dortmund-Bajern. Ky duel, natyrisht ka shumë për të ofruar!” Bajerni kryeson renditjen me 61 pikë pas 27 javësh, ndërsa Borusia është në vend të dytë me 57, duke lënë prapa Lajpcigun, Leverkusenin e Mynshengladbahun. Bavarezët kanë golaverazh më të mirë, por edhe vendasit nuk janë aspak keq.

“Nëse ne duam që të dalim kampionë, atëherë duhet ta fitojmë këtë ndeshje, – u shpreh trajneri i Dortmundit, Lysien Favre, – e dimë se çfarë përfaqëson Bajerni, e dimë se do ta kemi shumë më të vështirë pa tifozët tanë në stadium, por besoj se e kemi potencialin për t’ia dalë”

Gjithsesi, për vendasit do të jetë një minus i madh, sepse do të mungojnë 82 000 tifozët në “Signal Iduna Park”. Jo më kot, 10 nga 18 ndeshjet e luajtura që prej rifillimit të Bundesligës janë fituar nga skuadrat mike. Të paktën për këtë sezon, Bajerni pati fat sepse ndeshjen e fazës së parë e luajti në prani të 74 000 përkrahësve në “Alianc Arena” dhe e fitoi 4-0.

“Dortmundi është i gjithi një rrezik për ne, – u shpreh trajneri mik, Hansi Flik, – rrezik nuk është vetëm Halandi. Është e vërtetë se mungesa e publikut është një minus për Borusian, por unë mendoj se atmosfera e zjarrtë në stadium është nxitje për cilëndo skuadër”.

Parashikimet janë në favor të bavarezëve, madje me diferencë, e kjo ndoshta për shkak të përvojës shumë më të madhe të skuadrës së Hansi Flikut. Të dyja skuadrat kanë ndonjë mungesë, por në përgjithësi kanë alternativa.  Për Dortmundin nuk do jetë kapiteni Rojs, po ashtu Shulc e Zagadu. Kampionët shkojnë pa Kutinjon, Zylen, Tiago Alkantarën e Tolisonë, por kanë më shumë potencial në ekip, ndërsa Levandovski rrezikon pezullimin sepse ka 4 të verdha.

Sfidanti.al