Junajtidi shpreson për Sançon, por Bajerni duket se “fut hundët”!

Në “Old Traford” po luten e po urojnë që Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë të konfirmojë dënimin e dhënë nga UEFA për Mançester Sitin. Nëse kjo ndodh, do të thotë se skuadra e Guardiolës do të jetë e përjashtuar për dy vjet nga Championsi, dhe kjo do ta ndihmojë Mançester Junajtidin në “gjuetinë” për Xhejdën Sançon. Kjo, sepse duke qenë në vend të pestë në Premier Ligë, Junajtidi do të përfitonte nga dënimi i Sitit për të siguruar një vend në Champions, dhe lojtarë si Sanço duan që të luajnë vetëm në Ligën e Kampionëve.

Sidoqoftë, Solskjer dhe Uduord duhet të nxitojnë për të rënë dakord me Sançon dhe me Dortmundin, pasi në garë për anglezin e ri duket se po hyn edhe Bajerni. Klubi bavarez, interesohet për 19-vjeçarin, dhe e sheh si alternativën ideale nëse nuk arrin të marrë Leroi Sanenë. Kartoni i Sanços është shumë i shtrenjtë, mbi 100 milionë euro, por Bajerni ishte gati vjet që të paguante po kaq shumë për Sanenë. Nuk dihet nëse anglezi i ri i Dortmundit do të dojë më shumë që të luajë në Premier Ligë, apo të jetë pjesë e një klubi si Bajerni, me të cilin trofetë i ka të sigurt, dhe mund të synojë fitoren e Championsit.

Sfidanti.al