Tajsoni nuk i harron miqtë, edhe kur ata janë vrasës të burgosur!

Në fillim të viteve 90-të ra në fatkeqësi dhe provoi qelinë. Kampioni i atëhershëm i botës në peshat e rënda të boksit profesionist, Majk Tajson, në mënyrë të pashmangshme u njoh në burg me të dënuar të tjerë, veçse për akuza të ndryshme nga ai. “Majku i Hekurt” u vu pas hekura i nxjerrë fajtor për përdhunim, ndërsa në qeli kishte njerëz të dënuar për vrasje.

Sot e kësaj dite, kur kanë kaluar gati 30 vjet, Tajsoni nuk i ka harruar miqtë e dikurshëm, ata me të cilët kaloi ditët nga më të vështirat e jetës së tij. “Ata janë vrasës të dënuar me burgim të përjetshëm, – thotë ish-kampioni, – dhe unë shkoj i vizitoj edhe sot e kësaj dite”. Jo vetëm kaq, por Tajsoni ka pasur edhe shokë që i ka njohur që në adoleshencën e hershme, që në fëmijëri. “Ne ishim njësoj dhe vidhnim bashkë, – tregon Majku, – gjithsesi, unë isha ndryshe nga ata sepse unë fillova boksin, dhe thoja se ata nuk duhej të vazhdonin ta bënin atë punë”. Tajsoni ka pasur fëmijëri dhe adoleshencë të vështirë, sepse u arrestua nga policia 38 herë përpara se të mbushte 13 vjeç. E tillë ishte mënyra sesi ai u rrit, dhe kjo shpjegon shumë gjëra.

Sfidanti.al