Barça, Liverpuli apo Junajtidi, Haverci duhet të zgjedhë një ëndërr!

Si profesionist (edhe pse tepër i ri), ai dëshiron ta përfundojë një punë përpara sesa të nisë një tjetër. Kai Haverc po udhëheq Leverkusenin në betejën për kualifikimin në Champions, e më pas do të duhet të bëjë zgjedhjen e dytë të karrierës, skuadrën me të cilën të hedhë hapin e madh. Djaloshi 20-vjeçar shënoi edhe dy gola të tjerë për Bajerin, duke i dhënë një fitore të rëndësishme 3-1 në fushën e një rivali direkt në luftën për Champions, Borusias së Mynshengladbahut. Leverkuseni është në vend të katërt, dhe me një pozicion të tillë shkon në Ligën e Kampionëve.

Haverci thuhet se kërkohet nga Barcelona, Liverpuli e Mançester Junajtidi, ndërsa kartoni i tij arrin të paktën në 100 milionë euro. Cilën ëndërr do të zgjedhë ai? “Nuk dua të merrem me këtë temë, – tha ai, – ka shumë spekullime. Le të përqëndrohemi te ky sezon dhe të shohim se çdo të ndodhë më pas. Ia di për faleminderit Leverkusenit dhe nuk dua të përfshihem në diskutime të tilla”. Hyn apo jo në këto diskutime, e sigurt është që për Havercin kanë hyrë në diskutime të tjerë, dhe se agjenti i tij po bisedon me palët e interesuara.

Sfidanti.al