Juventusi rikuperon “pjesët e ndërrimit” në mbrojtje, Kielini e Demiral!

Sezoni nuk ka qenë ekzaltues kur vjen puna tek pësimi i golave. Kampionia e Italisë ka marrë 34 rrjeta në vetëm 37 ndeshje zyrtare deri tani, me një mesatare të rritur qoftë edhe me sezonin e fundit të Masimiliano Alegrit. Përtej problemeve që mund të sjellë skema taktike e trajnerit Sarri, që vë theksin më shumë tek sulmi, Juventusi ka vuajtur edhe dëmtimet, apo përshtatjen e yjeve.

Kielini ka qenë i dëmtuar, po ashtu Demiral, ndërsa Sarri ka pasur në dispozicion më së shumti Bonuçin e De Ligtin. Për fat të keq, qendërmbrojtësi holandez e pati të vështirë në vitin e tij të parë në Serinë A, diçka e pritshme për një 20-vjeçar. Gjithsesi, trajneri mund të qeshë sado pak sepse ndërprerja për shkak të koronavirusit ka bërë që Demiral e Kielini të jenë gati. Kapiteni mund të thuhet se është më pranë me formën e shokëve të ekipit, dhe me rinisjen e Serisë A në qershor, të jetë alternativë e rëndësishme. Jo vetëm kaq, por nëse kalendari do të zgjatet deri afër fundit të gushtit, Kielini do të ketë më shumë mundësi që të luajë.

Sfidanti.al