Mesi mund të ishte larguar nga Barça për shkak të … taksave!

Nja 125 vjet më parë, një socialdemokrat i famshëm gjerman, August Bebeli, fliste për biznesmenë me “ndërgjegje monarkiste” që mund ta ndryshonin bindjen e tyre politike nëse u prekej xhepi. “Nëse qeveria e Madhërisë së tij do të kërkojë të formalizojë ekonominë, – shkruajtën ata në gazetat e tyre, – ne do ta rishikojmë ndërgjegjen tonë monarkiste”. Pra, mund të pranonin të bëheshin republikanë nëse nuk do të duhej të jepnin kupon për veprimet financiare.

Edhe Lionel Mesi, pavarësisht se është krijuar si mit dhe si idhull i miliona njerëzve (!!!!), nuk është larg mentalitetit të biznesmenëve të mëdhenj gjermanë të fundshekullit të 19-të. Kapiteni i Barcelonës rrëfen se ishte gati për t’u larguar nga skuadra, për shkak të gjyqit të tij në Spanjë për shmangie nga taksat. “Në atë kohë, me akuzat nga ana e Thesarit të shtetit, unë isha gati të largohesha, – u shpreh argjentinasi, – jo sepse doja të ikja nga Barça, por sepse doja të ikja nga Spanja”.

Ja ç’na qenka! Kur dyshohesh se nuk ke paguar detyrimet për shoqërinë (që shteti e përfaqëson, në këtë rast), atëherë prekesh dhe je gati të largohesh nga ajo që e quan “familja jote”. Gjyqi i dha dënim me burg 21-mujor, pasi e shpalli fajtor, por gjithsesi ligjet ishin shkruar në një mënyrë të tillë që Mesi nuk mund të hynte në burg.

Sfidanti.al