Kanë kaluar 10 vjet e pak më shumë, kur Barcelona priti Interin e Milanos në “Kamp Nou”, dhe u eleminua pas një beteje të madhe në gjysmëfinalen e Championsit. Dueli që përfundoi 1-0 për katalanasit (Interi triumfoi më herët 3-1 në “San Siro”) mbahet mend për shumë momente, por sidomos për çastin kur Pep Guardiola po udhëzonte Zllatan Ibrahimoviçin, dhe pranë tyre u afrua Zhoze Murinjo e diçka pëshpëriti.
Për 10 vjet ajo përshpëritje mbeti mister, ndërsa tani është vetë i zoti i punës që thotë se po e shpjegon. “Guardiolës i thashë që të mos e fillonte festën para kohe”, – shpjegon trajneri i sotëm i Totenhemit, – ndeshja nuk ka përfunduar ende”. Murinjo shkoi te Guardiola pas përjashtimit të Tiago Motës me karton të kuq, ndërsa u shpreh se tek stoli i Barcelonës po festonin. Trajneri i Interit në atë kohë, e cilësoi atë ndeshje si “humbja më e bukur e karrierës sime”, ndërsa më pas fitoi Championsin në finalen ndaj Bajernit.
Sfidanti.al