Mos harroni dorën, se koka nuk ju duhet në Asamblenë e Përgjithshme! Ky do të ketë qënë slogani i ftesës së FSHF-së për klubet e futbollit, kur shikon se sistemi i “dorës në allçi” është përsosur edhe në versionin online! Edhe në kohën e Pandemisë, kur e gjithë bota e futbollit ka hapur gojën për të marrë tamponin e shumëpritur, këtej në anët tona, “tamponi” që pëdoret në Asamble është çudibërës nga efekti. Një ilaç, i cili nuk gjëndet në asnjë habitat tjetër në hartën e futbollit, ku koka të ulet poshtë dhe dora të ngrihet lart! Edhe kjo Asmable, së cilës i kanë vënë një mbiemër të rremë “ e Zakonshme”, nga doza e përqindjeve të votimit duket e pazakontë, disi anormale.. Aq e pazakontë, sa mund të thuhet se futbollin e votave e kanë tredhur me rrënjë moralisht, saqë FSHF po ngjason me një Parti despotike , më shumë sesa me një organizatë sportive..
Kjo Asamble do të kujtohet për hapjen spektakolare. Ç’ishte ai falenderim thumbues ndaj Shtetit qysh në minutat e para?Si mund të harrohet hapja e saj bujëmadhe , tamam si në ato ndeshjet e pabesa, ku më shpejt vjen goli se sa bie bilbili i arbitrit. Ku do te gjendet një Asamble tjetër, ku Qeveria e futbollit , ka djegur gjithë “skedinat parashikuese”. Dhe ishte vete presidenti Duka (dhe jo më tellallët), autori i një falenderimi driblues per zotin Rama: “ Ju falenderoj për mosbashkëpunimin dhe injorimin që bëtë qoftë për ndihmën financiare të personave që punojnë në futbollin shqiptar, por dhe për rinisjen e kampionatit”. Ishin fjalë që perlotën qysh në fillim anëtarët e “kongresit”, sa dikush kishte kujtuar me nostalgji takimin e fundit të presidentëve me zotin Rama, kur shefi i politikes dhe ai i topit ia pasonin topin me sy mbyllur njëri- tjetrit, ndryshonin kaq me marifet rolet gjatë “lojës”, sa nuk merrej vesh në ca momente se cili ishte kryeministri, e kush na ishte presidenti i futbollit,…
Sfidanti.al