Një epokë në tentativë u mbyll pa filluar mirë, dhe një karrierë padyshim e madhe mund të thuhet se po përfundon. Sebastian Fetel largohet nga Ferrari në fund të këtij sezoni, një lajm që e dhanë fillimisht mediat gjermane, dhe e konfirmoi vetë skuadra italiane. “Kalorësi” (Il Cavallino) nxorri komunikatën ku shkruhej se piloti gjerman do të largohej nga ekipi në fund të këtij sezoni, pra të vitit 2020.
Vetë Fetel është shprehur se ndarja nuk erdhi për para, pra palët nuk janë prishur në aspektin financiar. “Duhet vullnet i përbashkët për të arritur suksese, dhe ky vullnet për momentin nuk ekziston, – ishte deklarata e katër herë kampionit të botës, – kur marr vendime, nuk e kam zakon të shoh rrogën. Do të marr kohën e duhur për t’u menduar se çfarë do të bëj në të ardhmen”. Padyshim që Feteli do të zgjedhë një skuadër tjetër, por nuk dihet se cila mund të jetë ajo, ndërsa ai nuk u tregua aq në lartësinë që pritej tek Ferrari. Skuadra italiane beson më shumë tek i riu Sharl Lëklerk. Një pikëpyetje mbetet për vendin bosh të Fetelit, mos vallë do ta marrë Ljuis Hamiltoni? Piloti anglez ishte përfolur shumë se mund të bënte lëvizjen nga Mercedesi tek Ferrari.
Sfidanti.al