Superliga qënka gati! Ishalla nuk na “dëgjon” Covidi …

Superliga qënka bërë gati për të filluar! Edhe mund të thërrasim haleluja, por  ishalla nuk na “dëgjon” Covidi 19 . Vetëm një gjë “e vogël” sikur na mungon : cilat janë masat konkrete kundër Pandemisë! Sapo shefi garave në FSHF, zoti Nurishmi, ka thënë këto ditë  se Superliga është gati për të nisur, me mendje  fluturuam në   Bundesligën e  Gjermanisë, për të cilën trumbetohet se do të jetë e para që do të dalë në fushë, madje me një projekt të fortë  antivirus.

Një projekt që mund të quhet edhe i pashpirt , ngaqë   privon futbollin nga shumë rituale të gëzueshme: s’do të ketë ceremoni para ndeshjeve, nuk do të jenë as fëmijët që kapen prej dore  nga futbollistët dhe  shtrëngimi i duarve s’do të lejohet. Madje edhe fotot në grup më shumë ndihmokan Pandeminë sesa ..miqësinë!

Sikur të ishin të vetmet masa, këto që përmendem, edhe mund ta gënjenim veten se jemi gati ! Një herë më shumë, nuk bëhet qameti, por projektet në kohë lufte virale,  mbështeten me financë të fuqishme. Federata Gjermane, nëse futbolli do të guxojë të zbresë në fushë, ka bërë “betimin e jetes” se të gjithë stafet e  klubeve  dhe futbollistët do të testohen rregullisht, çdo 3 ditë para fillimit të garës dhe..do të ketë  kontrolle që  do të vijojnë më pas. Po Superliga, a është e përgjegjshme se në këtë periudhë vlen më shumë frika ( kujdesi) sesa guximi i budallait!.

Edhe pse e dimë të gjithë se  vuajmë nga  mania për të qënë të parët, siç na e do zakoni mburravec, këtë herë nuk luhet me topin, por me shendetin! Ndaj, atë ditë fatlume, kur u dhuruam fanelat kuqezi dhe topat për mjekët dhe infermierët e  Infektivit , mund t’i kishim “dhuruar” edhe një plan bashkëpunimi, që edhe ata të na falnin  …të drejtën për të luajtur pa frikë!

Nëse për të fituar 3 pikë në një ndeshje vlen një skemë e pjekur mirë taktikisht, në kohën e Pandemisë, skema e lojës i përket një bote tjeter. Kjo skemë, nësë do ta quanim të tillë,   ka të bëjë me jetë njerëzish. Ndaj, kur themi “jemi gati për të filluar kampionatin”, të paktën në këto momente sikleti, futbolli të flasë me kokë e jo me këmbë…!

Sfidanti.al