Një nga gjestet më të shpifur në futboll, nga ata që fshehin mëkatet që ndodhin në fushën e lojës, ka qënë kur futbollistët vendosnin dorën si mburojë para gojës, me qëllim që të mos deshifroheshin fjalët e tyre. Me sa duket, këtij rituali aspak të ndershem, i ka ardhur fundi, tamam në kohën e Pandemisë. Ditët e fundit është hedhur ideja që futbolli mund të ringjallet, nëse futbollistët do të mbajnë maska në fushë! Por, a mund të luhet me maska për 90 minuta, kur dihet se ky sport ka si karburant oksigjenin, aq sa thuhej me ironi se goja është e vogël për të kënaqur gjithë trupin me ajër…
Dëgjoni fjalët e një futbollisti uruguajan, i cili luan në kampionatin e Nikaraguas, pas një përvoje unikale ku ndeshja u luajt me “gojë të qepur”, pra me maska : “ Ishte një makth. Unë rezistova vetëm 15 minuta dhe pastaj e hoqa maskën sepse më dukej sikur po më mbaronte fryma. Ke ndjesinë që mushkëritë nuk mbushen me oksigjen”. Por, a mjafton ky shembull i madh nga një vend me futboll të vogël për të ndalur eksperimentet globale ? Pale të kujtosh atë këshillën “yjnore” të UEFA-s për gjithë klubet e futbollit ne mbarë Kontinentin: “ Kujdes, evitoni kontaktet!” Edhe në botën e baletit, do të qeshej nëse do të rekomandohej një “ilaç“ i tillë, lëre pastaj kur flitet për futbollin pa kontakte, një idiotizëm zyrtar që mund të dëgjohet vetëm në kohë pandemie. Tingëllon kaq e pakapshme shprehja “ kujdes kontaktet” që vjen nga majat e UEFA-s , tamam sikur t’i thuash një çifti të ndezur për dashuri.. do të putheni pa u prekur..pa kontakte!
Sfidanti.al