Kartoni i tij vlen rreth 40 milionë euro, dhe jo pa shkak. Milot Rashica është një nga lojtarët më të talentuar të Bundesligës gjermane, sot për sot, dhe e ardhmja e tij me shumë gjasë do të jetë në Angli. Mediat britanike shkruajnë se Liverpuli do të duhet të nxitojë për shqiptarin e Kosovës dhe të Verderit të Bremenit, pasi konkurrenca është rritur së fundmi.
“Deili Ekspres” njofton se përveç kampionëve të Europës në fuqi, interesim për Rashicën kanë treguar Uest Hemi, Uolvesi dhe Aston Vila. Njëzetetrevjeçari luan prej tre sezonesh tek Verderi në Bundesligë, duke u aktivizuar 51 herë në kampionat e duke shënuar 17 gola. Në total, për klubin gjerman ka 59 ndeshje e 23 gola, dhe vlerësohet si një nga më të mirët në rolin e tij.
Për transferimin e mundshëm të Rashicës po punon menaxheri i tij, ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Altin Lala, i cili gjithashtu ka qenë një lojtar shumë i rëndësishëm i Bundesligës, duke u bërë për shumë vjet kapiten i ekipit të tij, Hanoverit. Milot Rashica e nisi karrierën në Kosovë, siç e ilustron ish-klubi i tij Viteshe e Holandës, në një dokumentar të botuar pikërisht ditën e sotme në faqen e vet në Jutub (Youtube). Pasi kapërceu ekipet e moshave, ai luajti për dy sezone me Vushtrrinë, dhe në 2015 u mor nga Viteshe e Arnhemit. Në Holandë shkëlqeu me 100 ndeshje e 15 gola.
Në moshë të re, Rashica ishte pjesë e Shqipërisë U21, duke u aktivizuar në 6 ndeshje e duke shënuar një gol, ndërsa më pas u bashkua me kombëtaren shqiptare të të rriturve. Në pranverë 2016, ai u la jashtë Euro 2016-ës nga trajneri Xhani De Biazi, dhe pas këtij momenti, zgjodhi të përfaqësonte Kosovën. Me përfaqësuesen e shtetit të tij, Rashica gjithashtu ka shkëlqyer duke shënuar 4 gola në 24 ndeshje, e duke ndihmuar në sukseset në Ligën e Kombeve dhe në Kampionatin Europian.
Sfidanti.al