Mesi dhe Nejmar, ja dy lajme të mira për tifozët e Barcelonës!

Përfundimi do të jetë i lumtur. Lionel Mesi do ta rinovojë kontratën tek Barcelona, pavarësisht vonesës së theksuar, dhe do t’i lehtësojë dhjetëra mijë tifozë. Këtë e thekson ish-zv. presidenti i katalanasve, Emili Ruso, i cili ka dhënë dorëheqjen pak ditë më parë. Pavarësisht nga lufta me drejtuesit e klubit, e sidomos me presidentin në fuqi, Zhozep Maria Bartomeu, sërish Rusoi dëshiron të kënaqë tifozët me lajme të mira, ndaj edhe flet për Mesin.

“Mesi do të vazhdojë, – thotë ai, – do të ketë kontratë të re, pasi ai e quan Barcelonën si shtëpinë e tij dhe dëshiron ta mbyllë karrierën tek ne”. Marrëveshja aktuale e kapitenit përfundon vitin e ardhshëm, dhe shpesh argjentinasi i ka bërë presion klubit përpara rinovimeve, për ta nxitur për të forcuar skuadrën, në mënyrë që të fitohen trofe.

Ruso jep edhe lajmin tjetër të mirë, ndonëse përgjysmë, dhe ky ka të bëjë me Nejmarin. Ish-zv. presidenti parashikon që, me shumë mundësi, sulmuesi brazilian do të kthehet në “Kamp Nou”, 3 vjet pas largimit për tek Paris SG. Nejmar nuk është i lumtur në kampionatin francez, edhe pse ka shënuar shumë gola e ka shërbyer shumë asistë, ndaj dëshiron me çdo kusht që të jetë sërish tek Barcelona, të luajë në krah të Mesit e të fitojë tituj të mëdhenj.

Sfidanti.al