Në çfarëdo gjuhe ta thuash, spanjisht, shqip, anglisht apo edhe ato sllave nëse dëshiron, ka të njëjtin simbol. Fjala “ditë” fillon me “D” dhe Sergio Ramos, kapiteni i Realit të Madridit po i afrohet ditës së tij “D”, pra po i afrohet asaj që do të duhet “DITA”, kur do të largohet nga “Santiago Bernabeu”. Kontrata e qendërmbrojtësit përfundon verën e 2021-it, por klubi ende nuk ka nisur bisedimet e rinovimit me të. Kur të mbërrijë stina e nxehtë e vitit të ardhshëm, burri andaluz do të ketë mbushur 35 vjeç, një moshë tepër e rrezikshme për futbollistët, ndonëse jo aq shumë për mbrojtësit e qendrës.
Gjithsesi, duket se Reali nuk do të bëjë çmenduri për ta mbajtur, pasi e pati në fushë për 640 ndeshje, në të cilat ka shënuar deri tani 91 gola. Në total, Ramosi ka gati 720 ndeshje për klubet (bashkë me Seviljen) dhe 170 ndeshje me Spanjën, gjithsej gati 900 paraqitje në karrierë. Ai ka fituar 21 trofe me Madridin, po ashtu 3 trofe të mëdhenj me Spanjën, si dhe titullin Europian me Spanjën U19. Padyshim, është një nga lojtarët më të dekoruar të historisë së futbollit, ndërsa në “Santiago Bernabeu” besohet se është menduar zëvendësuesi. Ende nuk dihet se cili do të jetë “i përzgjedhuri”.
Sfidanti.al