Populli është “Kielini dhe Bonuçi”, zoti Rama  sulmues i vetëm..Ronaldo!

Të kujtosh Milanin e Sakit në kohë Pandemie,  më shumë se kaq, të kopjosh skemën e tyre të  betejës sportive për të luftuar virusin global Covid 19,  kjo vërteton edhe të kundërtën e aksiomës shqiptare se “ Vetëm futbolli  ka nevojë për politikën”. Nuk dimë me saktësi gjuhën e kryeministrave të botës në keto momente,  nuk dihet se sa herë dalin në ekran në “lojën” që zgjat 24 orë,  por, nëse do të guxonim të bënim një klasifikim për “kilometrat në ekran”, sa  bëjnë gjatë një ndeshjeje, kryeministri Rama do të pagëzohej më “sportivi”. Pas frazës-recetë,  që turbulloi keqazi  shefat e FSHF-së, më shumë nga të gjithë..që ta luftojmë Covidin deri në minutën e fundit dhe të mos pësojmë gol në fund si Kombëtarja, ka ardhur një tjetër, e cila kapercen  jashtë orbitës sonë, por brënda shijeve tona. Zoti Rama , në rolin e kryetrajnerit polivalent, ka ringjallur skemën e Milanit të Sakit: ““Kundrejt virusit në Europë të gjithë po bëjnë katenaço, ndërkohë që duhet të bëjmë të gjithë si Milani i Arrigo Sakit.. zero yje që sillen në fushë sipas kokës së tyre, por të mbrojmë dhe të sulmojmë të gjithë si skuadër”…

Shefi i madh, edhe pse rekomandon lojën në mbrojtje, duke thënë se do të donte që ministrin e Brëndshëm dhe të Jashtëm të ishin  si Kielini dhe Bonuçi, që të spastronin rrugët e Tiranës nga “sulmet e minutes se fundit “, prapëseprapë, duket si një trajner dhelpërak, që predikon mbrojtjen për ushtarët dhe vetë luan në sulm. Edhe Saki i madh, në gojën e  Rud Gulit, nuk ishte gje tjetër, veç  një trajner me shumë frikëra.  Edhe kryetrajneri ynë, zoti Rama,  nëse do ta quanim lojë  ndeshjen kundër virusit,   predikon skemën  e “qelisë”, atë   brenda katër mureve të shtëpisë, madje na “qep” ne fytyrë  edhe maskën e Kielinit dhe Bonuçit. A thua se njerëzit pa shije topi, mos flasim për  tifozët e rafinuar, akoma nuk e kanë kuptuar se vetë ai po luan në sulm. Ku në sulm? Askund tjeter.. në rolin e Ronaldos që gëzohet vetëm kur golin e benë vetë, edhe pse thuhet se në kohë virusesh, golin duhet ta bënin mjekët..pra Dibala po të flasim me gjuhën juventine, e cila i pëlqen shumë…

Sfidanti.al