Tirana gjen “ilaçin” për koronavirusin: Rrini në shtëpi me fanelën e Tironës!

Me gjasë, e përfaqëson më shumë qytetin, qoftë edhe për moshën. Klubi i futbollit që mban emrin e kryeqytetit të Shqipërisë, Tirana, vendosi të jepte mesazhin e tij për tifozët e saj, por padyshim edhe për të gjithë qytetarët, duke e quajtur si detyrë në situatën e vështirë. Ky mesazh u dha me një video në faqen zyrtare, mbushur me foto të qytetit, dhe bën përshtypje sidomos tani, në prag të 100-vjetorit të themelimit të klubit.

Slogani, shkruhet në video: “Bashkë për një qëllim … për jetën. Slogani nuk ndryshon, por tashmë për një mision jetik për secilin nga ne. Vetëm në këtë mënyrë mund t’ia dalim”.

Tirana gjykon se duhet të ketë disiplinë dhe ndërgjegje për të kaluar situatën. “Tashmë për misionin e jetës, për të ardhmen tonë, – këshillojnë bardheblutë, -Bashkë për të respektuar me rigorozitet të gjitha masat e marra, që së shpejti të jemi përsëri këtu”.

Pamjet e ndeshjeve në “Arenën Air Albania” janë shumë domethënëse në këtë periudhë kur futbolli është ndalur, diçka që klubi kryeqytetas nuk harro ta theksojë.

“Bashkë për të qendruar në shtëpi e për ta mposhtur këtë virus, – vazhdon mesazhi, – Misioni është i njëjtë për të gjithë. Na mungon futbolli, na mungojnë emocionet, stërvitjet Na mungojnë selfit, stadiumi i mbushur plot”.

Gjithsesi, Tirana beson se kjo periudhë nuk do të zgjasë shumë, ndërsa ajo pret të kurorëzojë një sezon të madh. “Do të mundohemi edhe pak, në mënyrë që bashkë ta rinisim aty ku e lamë, për sprintin final drejt titullit kampion”. Porosia e theksuar fort është: Rri në shtëpi, bashkë do t’ia dalim, vish fanelën e Tironës.

Sfidanti.al