Karrierën në “Ajbroks” e nisi shumë mirë dhe pritej të shkëlqente. Sa shumë kanë ndryshuar kohët për Eros Grezdën, që jo vetëm nuk arriti të tregonte veten te Gllazgou Rejnxhërsi, por do të detyrohet të pranojë humbje financiare në Kroaci. Lojtari i kombëtares shqiptare u huazua në janar tek Osijeku në Ligën e Parë kroate, aty ku ishte përpara sesa të transferohej në ishujt britanikë, veçse epidemia e koronavirusit duket se do të ketë ndikim të dyfishtë për të.
Mediat kroate njoftojnë se Osijeku bëhet i pari klub i elitës që lajmëron uljen e rrogave për lojtarët e tij në masën deri në 50 për qind, nëse kampionatin nuk rinis. Kësaj i bëjnë jehonë mediat skoceze, të cilat e quajnë vendimin e Osijekut si një problem për Rejnxhërsin, që mesa duket do të duhet të plotësojë rrogën për shqiptarin e Kosovës. Gjithsesi, koronavirusi ka edhe rrezikun për shëndetin dhe jetën, diçka që padyshim ndikon te Grezda, ndërsa në Kroaci numri i të sëmurëve vazhdon të rritet dhe ka arritur gati në 400.
Përveç ndikimit të epidemisë, Grezda ka pasur edhe një shqetësim tjetër këto ditë dhe pikërisht ai i shkaktuar nga tërmeti, që tronditi Zagrebin, por edhe gjithë Kroacinë. Tërmeti i rënë në 22 mars ishte i magnitudës 5.4 të shkallës Rihter, më i forti tërmet i 140 viteve të fundit në Kroaci, dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale, si dhe një viktimë.
Sfidanti.al