Sarri ngre në qiell Dibalën, Konte qan mungesën e personalitetit!

Të dy trajnerët sikur e paskan ditur që në fillim se çfarë do të ndodhte në stadiumin e zbrazur, “Alianc”. Në Torino ka vetëm një “Zonjë të Vjetër”, madje edhe në Serinë A dhe ajo e tregoi veten, Juventusi e mundi Interin 2-0 në sfidën për titull, duke marrë vendin e parë e, praktikisht, duke i shuar ëndrrat e zikaltërve. Golat e Aron Ramsejt e Paulo Dibalës bënë që Juvja të dilte në krye, dhe nëse qeveria vendos ta ndërpresë sezonin, kampionët do ta mbronin titullin sërish, ndërsa Interi është tani, si papritur, 9 pikë prapa.

Ramsej shënoi një gol dhe shërbeu një tjetër, por njeriu që ndryshoi ndeshjen ishte Paulo Dibala. “E dija se Dibala do ta fitonte këtë sfidë, – u shpreh Sarri, më pas, – për këtë arsye e mbajta në stol, sepse doja që të hynte në fushë në momentin e duhur. Më pëlqeu uniteti në lojën mbrojtëse, më pëlqeu edhe energjia që tregoi skuadra në minutat vendimtare mes golit të parë dhe të dytë. Një fitore e rëndësishme, por kemi edhe 12 ndeshje deri në fund”. Sarri nuk deshi të komentonte për masat ndaj koronavirusit, duke thënë se nuk e ndjen veten “gjitholog”.

Po Antonio Konte? Interi i tij u duk i vogël, dhe trajneri nuk u fsheh. “Rezultatin e tregoi fusha dhe e tregoi qartë, – pohoi ai, – problem më i madh i yni është tek personaliteti, kjo është diferenca jonë me Juven, dhe diferenca në renditje është krijuar nga dy ndeshjet direkte. E humbëm ndeshjen pas golit të parë, sepse loja ishte në përgjithësi e ekuilibruar. Ata u rritën nga ana psikologjike, ndërsa ne u ulëm. Gjithsesi, duhet të jemi pozitivë dhe të shohim anët e mira, dhe përvoja do të na ndihmojë të rritemi”.

Sfidanti.al