Realizimi i ëndrrës për Armando Brojën, adoleshenti shqiptar “shkel” në Premier Ligë!

Është vetëm 18 vjeç dhe jeta e thërret. Padyshim, mund ta huazojmë një varg të një kënge shqiptare për të përgëzuar një adoleshent shqiptar që sapo nisi karrierën në kampionatin më të madh të botës, Premier Ligën angleze. Armando Broja u përzgjodh nga trajneri i tij, Frenk Lampard, për të hyrë në fushë në minutën e 86-të të ndeshjes Çelsit-Everton, dhe mbi 42 000 tifozët në “Stemford Brixh” ia dhuruan një brohoritje nxitëse.

Në prag të debutimit edhe për kombëtaren shqiptare, pasi pritet të thirret nga trajneri Edi Reja për San Marinon e Slloveninë, Broja realizoi ëndrrën e tij. Nuk është i pari shqiptar në Premier Ligë, këtë lavdi e mban për vete Lorik Cana, ish-kapiteni i Sandërlendit, por karriera e Brojës mund të jetë meteorike.

“Çelsi, debutimi i Armando Brojës ishte një ëndërr që realizohej për adoleshentin”, – titullon “Skaj Sporti” në shkrimin kushtuar sulmuesit shqiptar. Blutë e Londrës triumfuan 4-0 me gola të shënuar nga Mejzën Maunt, Pedro Uillian dhe Olivie Zhiru. Skuadra e Lampardit mban fort vendin e katërt dhe me këtë pozicion kualifikohet sezonin e ardhshëm për në Ligën e Kampionëve.

Sfidanti.al