Le të harrojmë se rolet prej kohësh kanë ndryshuar. Po ashtu, të paktën këtë herë, le të mos përmendim faktin se rezultati i derbit bëri që Liverpuli i urryer të jetë një hap më pranë titullit kampion. Ka ardhur momenti që Mançester Junajtidi të mendojë për vetveten, dhe t’i lumturohet një paraqitjeje të madhe, dhe një fitoreje edhe më të madhe.
Nuk është kurrë gjë e vogël kur mund Mançester Sitin e sotëm, sidomos 2-0, dhe sidomos kur e bën për herë të dytë radhazi në këtë kampionat. Kjo do të thotë se “djajtë e kuq” i fituan të dyja sfidat e Premier Ligës ndaj Sitit, diçka që nuk ndodhte që prej epokës së Sër Aleks Fergusonit, ndërsa kanë triumfuar në 3 nga 4 sfidat ndaj Sitit, përfshi edhe ato të Kupës së Ligës.
E ardhmja duket e shkëlqyer për të besuarit e trajnerit Ole Gunar Solskjer, që ia dolën me golat e shënuar nga Antoni Marsial në minutën e 30-të dhe Skot Mektominai në minutën e 6-të shtesë, pra fare në fund. Tashmë, vendi i katërt i Çelsit, pra zona Champions, është sërish vetëm tri pikë larg, ndërsa besimi për t’ia dalë edhe më i madh. Lojtarë si Bruno Fernandez, Uilliams, Uan-Bisaka apo Xhejms janë e ardhmja, ndërsa pritet kthimi nga dëmtimi i Pol Pogbasë dhe Markus Rashfordit.
Natyrisht, vendasit u ndihmuan edhe nga gabimet e portierit mik, Ederson, diçka që ndodh rrallë. Siti i Guardiolës, ndërkaq, nuk e rrezikon vendin e dytë, duke qenë 7 pikë mbi Leisterin e vendit të tretë, por ka plot 25 pikë më pak sesa Liverpuli kryesues.
Sfidanti.al