Mats Humelsi u shpreh në mënyrë kërcënuese pasi skuadra e tij mposhti 4-0 Frankfurtin në Bundesligë. Kur nuk na ndajnë shumë ditë nga përballja në Champions mes Dortmundit e Paris SG, mbrojtësi gjerman paralajmëroi francezët për atë që mund t’i presë në “Signal Iduna Park”. “PSG e di padyshim se çfarë do të provojë këtu, – u shpreh Humelsi, – ata vërtet kanë sulm të shkëlqyer me Mbapenë, Nejmarin, Di Marinë e të tjerë, por ne e treguam se dimë të mbrohemi mirë, jo vetëm të sulmojmë mirë. Ndaj Frankfurtit nuk pësuam asnjë gol”.
Ishte një lehtësim për trajnerin Favre pas humbjeve 2-3 në Kupë me Verderin dhe 3-4 në Leverkusen për kampionatin, ku loja në mbrojtje çaloi. Përsa i përket sulmit, Dortmundi është kërcënues. Skuadra verdhezi ka shënuar 63 gola në 22 ndeshjet e para të Bundesligës, diçka që e kanë bërë vetëm Bajerni në 1973-1974 me Mylerin e Bekenbauerin, dhe Hamburgu në 1981-1982.
Sfidanti.al