Humbjet e kombëtareve të moshave në 2019, trajnerët nuk preken, por e pëson “Xhema”!

Rezultatet nuk kanë qenë ata që priteshin. Pavarësisht optimizmit në Federatën Shqiptare të Futbollit për ekipet kombëtare të moshave, viti 2019 përfundoi keq, dhe për këtë arsye u vendos që të ndryshohej. Pritet të shkarkohet Xhemal Mustendanagiç, Drejtori teknik i Departamentit të futbollit, më praktikisht, drejtor teknik i ekipeve kombëtare të moshave.

Kjo gjë u diskutua në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv, mbajtur para pak ditëve, dhe burime nga ky komitet bëjnë me dijë se pati kritika për punën e specialistit boshnjak. Po këto burime pohuan se Mustendanagiçit, të njohur shkurt në Shqipëri si Xhema, do t’i propozohet pozicioni i gjurmuesit të talenteve shqiptarë nëpër Europë, pra roli i një skauti.

Federata ka bindje se ai mund të japë më shumë në këtë pozicion, pasi edhe tek Dinamo e Zagrebit ka punuar në këtë detyrë, duke bërë zbulime të rëndësishme, mes të cilëve edhe yllin e sotëm të Realit, Luka Modriç.

Pikëpyetja e vetme është nëse Mustendanagiç do ta pranojë rolin, ndërsa në Komitetin Ekzekutiv u diskutua se mund t’i bëhet edhe rritje e rrogës. Gjithsesi, për momentin, nuk pritet të ketë ndryshime në stafin teknik të ekipeve kombëtarë të moshave.

Sfidanti.al