Konte: Interi im është në prag të arritjes së diçkaje të madhe!

E veçoi faktin se skuadra tregoi një forcë mendore të pazakonshme, dhe kjo e kënaqi më shumë se gjithçka. Antonio Konte pohoi me sinqeritet se Milani e vuri Interin e tij në një pozitë të vështirë, “në pozitën më të vështirë që jemi ndjerë që kur unë jam këtu, dhe ekzistonte rreziku që të shkatërroheshim”. Kjo, pasi Ante Rebiç dhe Zllatan Ibrahimoviç realizuan për kuqezinjtë.

“Në të kundërt, – vazhdoi trajneri zikaltër, – ne ia dolëm të gjenim ekuilibrin, të kuptonim se çfarë duhej të përmirësonim, të kishim besim në veten tonë, ndaj edhe merita u shkon djemve. Përtej rezultatit, jam i lumtur që i pashë t’u rezistonin goditjeve dhe të bënin përmbysjen, gjë që tregon se ata po përgatiten për diçka vërtet të rëndësishme”. Gjëja e rëndësishme për të cilën flet Konte është fitimi i titullit kampion, gjë që Interi nuk e bën prej 10 vjetësh, që nga koha e Zhoze Murinjos. Tekniku theksoi se asgjë nuk arrihet për pak ditë, por çdo gjë po bëhet ditë pas dite, dhe me këmbëngulje”. Interi fitoi derbin 4-2 në “San Siro” dhe u ngjit në vendin e parë në renditje me 54 pikë, po aq sa Juventusi.

Sfidanti.al