Akordi është arritur dhe nuk ka më dyshime. Emanuel Egbo do të vazhdojë të jetë trajner i Tiranës edhe për gjysmën e mbetur të sezonit, kjo pas një takimi mes palëve pikërisht sot. Presidenti Refik Halili, pasi u mendua gjatë dhe pasi gjykoi çdo alternativë të mundshme, vendosi ta konfirmonte ish-portierin nigerian në detyrë në muajt në vazhdim.
Tek Tirana u fol shumë për pista të huaja trajnerësh, që nga Lonçareviç, Vuliç apo Agostineli, si dhe ishte ideja për të rikthyer Ilir Dajën. Ky i fundit ka vendosur të vazhdojë tek Skënderbeu, ndërsa alternativat e huaja ose ishin të vështira për t’u arritur, ose nuk e bindën numrin 1 të klubit.
Kështu, Egbo, do të ketë shansin të vazhdojë misionin e tij, dhe me gjasë të shtojë numrin e 3 fitoreve radhazi që ka arritur në 3 ndeshjet që ka qenë në stolin bardheblu. Nën drejtimin e tij, Tirana mundi Partizanin, Flamurtarin dhe Laçin. Arsyet kryesore të konfirmimit të Egbosë ishte puna e tij e deritanishme, njohja shumë e mirë e ambientit nga ana e tij, karakteri dhe kultura e tij njerëzore dhe profesionale, si dhe dyshimet në lidhje me suksesin e trajnerëve të huaj.
Tirana ka kaluar një gjysmë sezoni shumë të vështirë, gjatë të cilit në stol janë ulur tre trajnerë. Edicioni filloi me Ardian Memën, i cili u largua në fund të muajit tetor (25) pas barazimit ndaj Flamurtarit në Vlorë. Vendin e tij e zuri Julian Ahmataj i cili u largua në 9 dhjetor pas humbjes me Kukësin, dhe në prag të derbit ndaj Partizanit.
Sfidanti.al