Ishte ndeshja e duhur për të luajtur pa yllin kryesor, dhe rastësisht qëlloi e tillë. Janis Antetokumbo u dëmtua dhe nuk udhëtoi dot me skuadrën që shkoi në Arenën e Atlantës, skuadrës më të dobët të sezonit në NBA. Ajo që ndodhi aty ishte ndoshta e parashikueshme, edhe pse kishte kërshëri për të parë sesi do të luanin liderët e kampionatit pa kapitenin e tyre. Miluoki triumfoi 112-86, duke mos e vënë fitoren në diskutim për asnjë moment, ndërsa veterani Kris Midëlton udhëhoqi me 23 pikë, 8 topa në tabela e 7 asistë. Bashkë me të, edhe Bruk Lopez me 19 pikë, 2 topa në tabela, 5 asistë e 3 bllokime në gjuajtje, dhe Ersan Iljasova me 18 pikë e 17 topa në tabela.
Në një mbrëmje ku Golden Stejti (nënkampion i NBA-së) arriti fitoren e 4-ët radhazi, Miluoki forcoi pozitat në krye të renditjes. Skuadra e Antetokumbos ka 28 fitore e 5 humbje, duke lënë pas Boston Sëlltiksin dhe Majemi Hitin. Në Perëndim, kryeson Los Anxhelos Lejkërs me 24 fitore e 7 humbje, me Denverin në vendin e dytë me 21 fitore e 9 humbje.
Sfidanti.al