Ky Emanuel Egbo, trajner portierësh apo.. misionar nga qielli ?

Emanuel Egbo do të thotë bekim, do të thotë fat, pra,  do të thotë edhe …titull kampion! Në një intervistë në ekran, trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, ka zbuluar se ai nuk është thjesht një trajner i zakonshëm portierësh  dhe kthesa e Tiranës nuk është një hardallisje pa shkak. Egbo, vetëm Egbo e ditka, se triumfi në Derbi,  triumfi ndaj krizës dhe paqja në shpirtin bardheblu  kanë ardhur më shumë nga qielli sesa nga toka. Egbo  paska “folur” me Zotin para ndeshjes Derbi dhe Ai i ka thënë se gjërat do të ndryshojnë kryekëput, madje në fund do të jetë i lumtur.  Kur dikush e ka ngacmuar   Egbonë se përse Zoti në këto 5 vite, ku Tirana ka provuar trajnerë me emër nga jashtë dhe nga brënda,  nuk i ka dëgjuar thirrjet e tyre,  nigeriani jep një shpjegim bindës,  që lind nga besimi..

“ Unë e kam emrin Emanuel dhe në Nigeri, në vendin tim, ky emër është shumë i lidhur me Zotin. Lum ata që mbajnë një  emër të tillë,sepse janë të zgjedhur ..”  Siç duket, edhe presidenti Halili,  nëse do të kujtoni fjalët e tij pas fitores në Derbi, më në fund ka besuar se mrekullia do të vinte nga qielli, pasi nga toka derbi kishte qënë një betejë e humbur ende pa filluar. Dhe në qoftë se besojmë tek kjo mrekulli, cili president , sidosmos kur është besimtar, do ta këmbente fatin e bekuar që vjen nga një Emanuel i zgjedhur , krejt ndryshe nga gjithë trajnerët e tjerë  , që edhe pse kanë zotësi profesionale më të shquara se Egbo, u mungon  diçka supreme, që nuk duket, por është dhuratë nga..lart!

Sfidanti.al