Në prag të ndeshjes me Francën, kryeministri Rama i ka thënë me humor presidentit Duka: “ Ma lini mua ta bëj skemën kundër Francës”. Duket si një batutë midis të madhit të politikës me të madhin e futbollit, por ata që dinë se si funksionon skema në sistemin kuqezi , me siguri nuk kanë vënë buzën në gaz. Madje, ky dialog, i cili pati si dëshmitarë gjithë futbollistët e Kombëtares, sepse na kujton një histori e cila i reziston çdo kohe . Një trajner, jo pak i njohur në futbollin tonë , para një ndeshjeje, nga ato që ne i pagëzojmë si “ndeshje jete”, i ështe lutur presdidentit që ta linte të lirë për të bërë formacionin, duke i garantuar fitoren. Presidenti ishte hipnotizuar nga zelli i trajnerit, dhe një zot e di se si nuk futi duart në formacion, për herë të parë në jetën e tij. Kur ndeshja u humb dhe trajneri ra në gjunjë si fajtor, presidenti ia preu shkurt: mos guxo më, të kërkosh ndere të tilla! Kjo histori, plus batuta pickuese e zotit Rama, të diktojnë një pyetje pothuajse të ndaluar: po presidenti ynë fuqiplotë,zoti Duka, për të cilin thuhet se zotëron shkopin magjik , sa topi ka marrë formën e vezës, a merret me gjëra të “vogla” si skema e lojës apo ajo e ..nënlojës!
Për shembull, atë ditë me Andorrën, cili trajner, ai sipër apo ai poshtë në stol, u dha leje futbollistëve tanë që të shkreheshin, të dezertonin pa iu dredhur qerpiku përgjatë 90 minutave dhe, kur të shpjegonin tulatjen e tyre para mikrofonit, të “këndonin” bashkarisht, si një orkestër e keqe : e kishim mëndjen tek Franca! Dhe për dreq, kur na u shfaq Franca pas 3 ditësh, e kishin mëndjen …tek stadiumi “Arena” . “Shqiponjat” e lodhura , siç i quante media franceze, aq të shqetësuar ishin për fushën delikate dhe të virgjër, sa në disa momente në vend të gjurmonin Grizmanin, arnonin plisat që u shqitën nga tabani. Apo “skema” në ndeshjen e parë me Francën. A mund të pranohet se Edi Reja, trajneri që erdhi me peshën e përvojës së 1000 ndeshjeve në Serinë A, të lajthisë aq ndjeshëm , sa lojtarin më pikant të Kombëtares, Odise Roshin, ta çmontojë nga sulmi për të cilin ka lindur dhe ta vendosë në mbrojtje për të marrë gjithë peshën e humbjes. Atë natë, të “dy trajnerët” , edhe ai që futi në epruvetë lojën edhe ai që kontrollon ekpseriementet në laboratorin kuqezi, dolën të fituar se.. askush nuk e pati mëndjen tek ngatërrimi i skemës, ngaqë francezët na “sulmuan” himnin…
Gezim Sinemati
Botuar ne Panorama Sport