Arena Kombëtare, duhet bërë dita natë që të kapet të paktën e shtuna!

Ditët kalojnë dhe humori ndryshon. Arena Kombëtare sikur dëshiron të thotë se është tashmë ashtu siç duhet, veçse deri kur ta shohim të përfunduar plotësisht, do ta besojmë. Fusha është duke u korrur, dhe këtu jemi brenda afateve, ndonëse vetëm dyluftimet në terren mes Shqipërisë e Francës do të tregojnë nëse gjendja e saj i përgjigjet 100-përqindëshit.

Nuk ia vlen të përsërisim faktin se pjesa jugore nuk e kaloi mirë testin në ndeshjen e femrave Vllaznia-Apolonia, dhe se moti i këtyre ditëve nuk ka qenë aspak i ngrohtë dhe me diell. Cilësia e barit nuk vihet në diskutim, dhe pritet që tapeti të jetë në të njëjtën cilësi si ai i “Elbasan Arenës”, që mund të quhet i shkëlqyer. Ritmi duket se duhet të shtohet kur vjen puna tek baret e restorantet apo tek lozhat e VIP-it, ku me sy të lirë gjykon se puna është disi prapa.

Humori është i mirë kur vjen puna tek parametrat e përgjithshëm brenda stadiumit, qoftë për gjendjen e ulëseve, të lirshmërisë që njerëzit të hyjnë e të dalin, tek vendet e gazetarëve, sistemet e kamerave të transmetimit apo sigurisë si dhe tek përforcuesit e zërit.

Kur del jashtë impiantit, shikon se po punohet më shpejt, edhe sepse reshjet e shiut nuk kanë penguar si një ditë më parë. Po bëhet pastrimi i sheshit qendror, ku janë vendosur pllakat, ndonëse aty ka ende punë për t’u bërë. Edhe më shumë punë ka për asfaltimin dhe sistemimin në sheshet dhe rrugët e tjera rreth e rrotull tribunave. Gjithashtu, mbetet të largohen skelat me të cilat punëtorët kanë punuar në lartësi, tek fasadat.

Një nga detyrat kryesore të lëna nga UEFA që ditën e diel ishte pikërisht spastrimi i sheshit kryesor, dhe i shesheve pranë tribunave anësore, pasi ishin ende shumë të ngarkuara nga punimet që vazhdonin. Porosia tjetër ishte përfundimi i sistemit të ndriçimit të jashtëm të stadiumit. Vëmendje e veçantë iu kushtua sinjalistikët për të orientuar spektatorët drejt vendeve të duhura.

Nëse ishte menduar se e mërkura duhej të ishte dita e fundit dhe pas saj gjithçka do të përfundonte, kjo gjë nuk u arrit. Afati tjetër logjik i bie të jetë e premtja, por ndoshta, siç është e zakonshme tek ne, do të mbetet punë edhe për paraditen e së shtunës, veçse aty do të jetë fundi, sepse pasdite stadiumi do të ketë miq. Do të mbërrijë Franca për stërvitje dhe konferencë.

Sfidanti.al