Fitoi Tirana e Ahmatajt apo e Memës? Kapet kreu i Superligës, por dyshimet mbeten!

E kujt mund të quhet kjo fitore? Padyshim edhe e Julian Ahmatajt, që debutoi në mënyrë të përsosur në stolin e Tiranës, por edhe e ish-trajnerit Ardian Mema, që punoi me këtë skuadër deri në mesjavë. Për tifozët bardheblu, gjithsesi, rëndësi pati fitorja, një sukses më i madh sesa shpresohej, me shifrat 3-0 në stadiumin e Gjirokastrës.

Dakord, Luftëtari vendas u mund shumë më lehtë pasi mbeti me 10 lojtarë që në minutën e 25-të, dhe luajti në inferioritet për më shumë se 75 minuta të tjera, por Tiranës nuk i duhet ulur merita. Futbollistët bardheblu u duk sikur ishin çliruar nga një stres i madh psikologjik, diçka e kuptueshme pas një periudhe të gjatë “tërhiq e mos e këput” për fatin e trajnerit. Të paktën, tani e dinë se mund të nisin një fillim të ri, rrjedhimisht ishin të lirshëm në veprime, me më shumë dëshirë dhe entuziazëm.

Padyshim, që deshën t’i tregonin edhe ish-trajnerit të tyre, Mema, se e ndjejnë fanelën, dhe se dështimet kishin lidhje më shumë me situatën e paqartë në klub sesa me vetë ata. Tirana përballoi madje edhe daljen e mbrojtësit me përvojë, Tefik Osmani, për shkak dëmtimi, madje edhe humbjen e penalltisë nga Batha.

Autorë të golave ishin Torasa, Ngo dhe Hasani, dy herë në pjesën e parë, dhe një herë pas pushimit. Ahmataj pati kështu debutimin e ëndërruar. Trajneri elbasanas nuk ngurroi të bënte ndryshime në formacion, duke iu besuar të rinjve Ismailgeci, Çelhaka e Halili.

Me këtë sukses, Tirana u barazua me Bylisin në kuotën e 17 pikëve, për momentin në krye të Superligës, ndonëse kushdo e di se në të ardhmen do të ketë edhe ditë të vështira. Shpresohet që te kryeqytetasit të dinë t’i përballojnë dhe jo të përsëritet e kaluara me trajnerit, siç ndodhi me Dajën, Josën, Ze Marinë apo Memën.

Sfidanti.al