Skuadër e re, zakon i vjetër. Kjo mund të thuhet për Rasëll Uestbrukun, që nuk di të ndalet edhe tani me Hjustonin, siç bënte edhe me Oklahomën. Ylli 30-vjeçar kaloi legjendën Mexhik Xhonson në renditjen e lojtarëve me më shumë “tripëll dabëlla” në historinë e NBA-së, diçka që e bëri në fitoren ndaj Nju Orlinsit.
Ai realizoi 28 pikë, kapi 10 topa në tabela dhe shërbeu 13 asistë, duke treguar se nuk di të ndalet as kur ka në krah si shok skuadre, një gjigand si Xhejms Harden. Hjustoni fitoi 126-123 dhe Uestbruk pati meritën sepse luftoi fort në minutat e fundit, duke bërë diferencën. Tashmë, ai ka 139 tripëll dabëlla, ndaj 138 që arriti në karrierë Mexhik Xhonsoni me fanelën e lavdishme të Lejkërsave.
Ky i fundit e bëri menjëherë përgëzimin në rrjetet sociale, duke mos u treguar aspak xheloz që tashmë zbriti në vendin e tretë, por duke i uruar fat basketbollistit të sotëm. Një përgëzim edhe nga faqja zyrtare e NBA-së, që postoi në rrjetet sociale foton e Uestbrukut, si dhe renditjen e më të mirëve për tripëll dabëlla.
Në Amerikë natyrshëm bëjnë pyetjen: A do të arrijë ai të kalojë edhe numrin 1, Oskar Robertsonin. Ky i fundit mban rekordin me 181 tripëll dabëlla, pra yllit të Hjustonit i duhen edhe 42 të tjerë për ta barazuar. Me ritmin e sotëm, ai do t’ia dilte nga fundi i sezonit të ardhshëm, ndonëse gjithçka varet sesi do të jetë forma e tij fizike. Për një muaj, Uestbruk mbush 31 vjeç, pra ai nuk është aq i ri sa për të pasur garanci.
Gjithsesi, Rasëll Uestbruk ka thyer rekorde të tjerë të Robertsonit, si për numrin e tripëll dabëllave në një sezon, më shumë tripëll dabëlla radhazi, dhe më shumë sezone me mesatare tripëll dabëlli. Për tifozët e Hjustonit, gjithsesi, rëndësi ka që Uestbruk dhe Harden të kombinojnë për të siguruar titullin kampion në NBA, që do të ishte i pari që nga viti 1995.
Sfidanti.al