Në diskutim ka qenë të paktën që prej javës së dytë. Ardian Mema dhe presioni për t’u shkarkuar mbetet një binom i pandarë, gjendje që duket se do të marrë fund me vendimin që pritet nga presidenti Refik Halili. Humbja në fushën e Bylisit e rëndoi edhe më shumë situatën, dhe burime në klubin bardheblu bëjnë me dijë se po mendohet që trajneri të zëvendësohet nga Bledar Devolli, drejtuesi i Tiranës U19, dhe ish-trajner i Kastriotit në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar.
Përpara emrit të Devollit, te kryeqytetasit u diskutua kandidatua e Julian Ahmatajt, ish-trajner i Luftëtarit vjet, dhe po ashtu ish-teknik i Kamzës dy edicione më parë. Sipas burimeve në klub, Mema nuk është shkarkuar së pari për shkaqe financiare, pasi presidenti do të ishte i detyruar ta paguante sipas kontratës, diçka jo e lehtë për vetë situatën e borxheve që ka Tirana.
Pozitat e trajnerit u forcuan në javët e para të Superligës, kur u arritën tri fitore në 4 ndeshje, por gjithçka nisi të përkeqësohej me humbjet ndaj Kukësite Partizanit, po ashtu edhe nga barazimi në Vlorë me Flamurtarin. Madje, burimet në klub shprehen se Mema u largua pas disfatës në derbi, dhe ishte vetë presidenti Halili që i shkoi në shtëpi duke e ftuar që të kthehej.
Tirana vazhdimisht ka pasur paqendrueshmëri me stolin, dhe që nga 2015-ta në detyrë kanë qenë 4 trajnerë. Ilir Daja u shkarkua në nëntor 2016 pas një viti në detyrë. Pasardhësi i tij, Mirel Josa, u largua në fund të sezonit, kur ekipi ra nga Superliga. Në vend të tij erdhi në qershor 2016 braziliani Ze Maria, që drejtoi bardheblutë në Kategorinë e Parë, por u largua në tetorin e vitit të kaluar, i zëvendësuar pikërisht nga Mema.
Sfidanti.al