Vlerësohej se ishte (dhe është) skuadra më e mirë e kampionatit, dhe fund i fazës së parë nxorri pikërisht këtë përfundim. Partizani doli në krye të Superligës pas javës së 9-të, me fitoren 3-1 ndaj Skënderbeut në “Selman Stërmasi”. Sukses i merituar i të besuarve të trajnerit Franko Lerda, që dalë nga dalë, po shfaqin potencialin e pritshëm, edhe pse ndoshta nuk luajnë ende një futboll të shkëlqyer.
Egzon Belica shënoi që në fillim (3’), pastaj Bruno Telushi realizoi nga goditja e dënimit për 2-0, ndërsa në fund të pjesës së parë korçarët e Ilir Dajës reaguan duke shkurtuar diferencën me anë të Gripshit. Sidoqoftë, diferenca në klas dhe përvojë e skuadrave u duk edhe pas pushimit, kur Erald Çinari shënoi dhe golin e tretë, me një të majtë të saktë. Shkodrani po tregohet i rëndësishëm javë pas jave, ndërsa shënoi edhe në Shkodër ndaj Vllaznisë.
Partizani kryeson Superligën me 17 pikë ndaj 16 të Bylisit dhe 15 të Vllaznisë e Teutës. Edhe skuadrat e tjera janë afër, Kukësi e Tirana me nga 14 pikë dhe Skënderbeu me 13.
Pas ndeshjes, Lerda u shpreh i kënaqur nga skuadra e tij, por u detyrua të kritikonte atë që e quajti egoizëm i lojtarëve të tij. Italiani hodhi poshtë rëndësinë e reagimeve negative të lojtarëve pas zëvendësimeve. Ilir Daja i Skënderbeu, me shumë të drejtë, deklaroi se “kur je trajner i këtij Skënderbeu ke frikë edhe se ndeshja mund të përfundojë me goleadë”. Diçka e tillë i ndodhi ndaj Bylisit në Korçë apo Vllaznisë në Shkodër.
Sfidanti.al