Kur kjo ndodhi për herë të parë, u pasua me një dorëheqje të madhe, atë të presidentit Florentino Perez. Kështu ndodh me Realin që mundet nga Majorka, ndërsa këtë radhë pritet të shihet se cili do të jetë fati i trajnerit. Zinedin Zidan duket se është vënë menjëherë nën presion (siç shkruajnë mediat spanjolle), pasi pësoi disfatën e parë në La Liga dhe humbi kryesimin. Numërimi mbrapsht për të ka nisur, sipas “Markës”, edhe pse Barcelona e vendit të parë është vetëm 1 pikë larg.
Jo vetëm humbja, por sidomos paraqitja e “merengesve” ishte e tillë që krijoi panik të madh tek tifozët. Mos vallë Reali nuk është në gjendje të luftojë për titull? Mos vallë, pas tre Championsve të fituar radhazi, ka ardhur dita për të zbritur në Ligën e Europës? Do të vendoset në “finalen” e Stambollit, ku duhet fitorja, ose të paktën të shmanget humbja, pasi Madridi ka vetëm 1 pikë në grupin e Championsit dhe barazimi me Bryzhin në “Bernabeu” e dëmtoi shumë. Natyrisht, nuk mund të harrohet se skuadra e Zidanit kishte nja 7 mungesa në fushën e Majorkës, ndaj një rivali që nuk mundej për 13 vjet. Shtatë mungesa janë shumë edhe për një ekip si Reali, por gjithsesi, kjo nuk e bën më të lehtë gjendjen e trajnerit.
Sfidanti.al