Momenti i së vërtetës do të jetë sot në orën 17:30. Në legjendarin “Old Traford” (edhe pse të ndryshkur disi së fundmi), do të dalin në fushë dy rivalët më të mëdhenj në historinë e futbollit anglez, Mançester Junajtidi dhe Liverpuli. “Ndeshja e Ndeshjeve” nuk do të jetë ekzaktësisht e tillë, por gjithsesi pritshmëria do të jetë e madhe, për rreth 75 000 tifozët dhe dhjetëra milionë teleshikues.
A do të mundet Junajtidi të nisë kthesën pikërisht përballë kryesuesve të Premier Ligës? A do të kalojë Liverpuli një tjetër pengesë, siç ka bërë deri tani dhe të arrijë fitoren e 18-të radhazi, një barazim i rekordit të Mançester Sitit? Kjo do të mësohet në fund, ndërsa tani në prag, ka ngacmime dhe shpresa.
Trajneri vendas, Ole Gunar Solskjer, nuk ngurroi të lëshonte një tallje (besohet, pa shumë shije) për rivalët, duke thënë se “unë jam i sigurt se ne do të bëjmë kthesë, dhe se nuk do të kalojnë 30 vjet derisa të fitojmë titullin e radhës”. Liverpuli ka pikërisht 29-30 vjet pa titull, dhe nënkuptimi ishte shumë i qartë.
Për Jurgen Klopin nuk janë problem batutat e rivalëve, pasi ai është vetë mjeshtër i tyre. Ai shqetësohet të vazhdojë rrugën drejt titullit, por edhe të fitojë për herë të parë në “Old Traford”. Po ashtu, Mohamed Salah, sulmuesi kryesor i të kuqve, nuk ka shënuar kurrë ndaj Mançester Junajtidit, pra edhe egjiptiani duhet të prishë një mallkim.
Sfidanti.al