Nga Spaleti tek Pioli, tifozët nisin të tallen me Milanin në rrjetet sociale

“Tjetër gjë porosit me telefon, dhe tjetër gjë të vjen në shtëpi”. Historia e trajnerit të ri të Milanit po bëhet “gallatë” në rrjetet sociale me tifozët italianë, milanistë apo të tjerë, që nuk janë kursyer aspak. “Çfarë porosit, dhe çfarë të sjellin”, – shkruajnë ata, pasi lajmet fillimisht ishin për Luçiano Spaletin si pasardhës (të mundshëm) të Marko Xhampaolos (që ende nuk është shkarkuar), por më pas doli në skenë Pioli. Që të dy ish-trajnerë të Interit. “Deri nesër kushedi se çfarë emri tjetër do të përmendet, dhe gjithnjë e më keq”, – protestojnë tifozët kuqezinj.

“Në vend që të rrish në shtëpi e të numërosh milionat pa u lodhur, ç’t’u desh që shkove tek Milani”, – tallen tifozët e Interit me Spaletin, që ende është nën kontratë me zikaltërit. Një tjetër gjë që theksohet është se Xhampaolo po mendohet të shkarkohet pas një fitoreje (si ajo në fushën e Xhenoas). Gjithsesi, mediat shkruajnë se Xhixhi Simonit tek Interi nuk i mjaftoi as fakti që fitoi ndaj Realit!

Sfidanti.al